Showbiz

Letizia Ortiz, gazetarja që u bë mbretëreshë, rikthehet në ekran

Letizia Ortiz, gazetarja që u bë mbretëreshë, rikthehet

E divorcuar, me zero gjak blu, ish-ikona e lajmeve luftoi shumë për t’u dashur nga spanjollët. Por tani, gjashtëmbëdhjetë vjet pas shfaqjes së saj të fundit në ekranin e vogël, ajo po përgatitet të pushtojë edhe gjermanët, duke u rikthyer në kamera si protagoniste e një dokumentari

Letizia Ortiz, e cila dha edicionin e saj të fundit në 31 tetor 2003, rikthehet para kamerave si protagoniste e një episodi të “Profesioni: Mbretëreshe”, një seri dokumentarësh në televizionin publik gjerman ZDF, që rrëfen punën e sovranëve evropianë të shekullit XXI (të Shtunën 24 gusht). Reporterja Julia Melchior ndoqi mbretëreshën për një vit gjatë gjithë angazhimeve të saj zyrtare si në Spanjë ashtu edhe jashtë saj: nga udhëtimi në Mozambik i shkatërruar nga cikloni Idai deri në udhëtimin në Romë për Simpoziumin e Ushqimit. Melchior tha për El Pais se i kishte lënë shumë përshtypje mbretëresha: sepse ajo është një punëtore e palodhshme por mbi të gjitha sepse ajo është shumë njerëzore. “U afrohet njerëzve, i dëgjon dhe kujdeset për problemet e tyre. Madje u shqetësua edhe për mua. Më pyeti sesi isha në gjendje t'i menaxhoja lëvizjet e saj, duke pasur një djalë 3 vjeç në Gjermani”.

Shkurt, Letizia ka arritur të bëjë për vete edhe reporteren gjermane. Për më tepër, t’u pëlqesh  të gjithëve (ose pothuajse) është një punë e vështirë që mbretëreshës i është dashur ta mësojë që kur u dashurua me Princin Filip në vitin 2003. Në të tridhjetat, kishte një divorc pas shpatullave dhe ishte një nga gazetaret më të famshme të Televisión Española. Vajza e një gazetari dhe një infermiereje dhe sindikaliste, me gjyshin shofer taksie, Ortiz arriti që t’i bëjë spanjollët të pranojnë përzierjen e gjakut blu me atë të kuq. Deri vonë, fisnikëria përzihej me masën vetëm gjatë ndeshjeve me dema.

Pas dasmës së saj me princin Filipe, në maj 2004, ajo u kritikua pa mëshirë sepse ishte shumë e dobët, për veshjen, për pasionin e saj për takat dhe ndërhyrjet estetike, për të kaluarën e saj sentimentale, për të kaluarën e saj si një militante e majtë, për sjelljet e ftohta. Dhe shumë herë, me kalimin e viteve, ka pasur zëra për krizë martesore: Letizia dhe Filipe, sipas tabloidëve spanjollë, shpesh kanë qenë në prag të divorcit. Shumë e përfolur edhe ftohtësia familjare e shkaktuar nga tensionet e Ortizit me vjehrrën e saj, ish-Mbretëreshën Sofi të Greqisë, e cila gjithnjë ishte pëlqyer shumë nga spanjollët për durimin e jashtëzakonshëm me burrin e saj të pabesë Juan Carlos. Kur gjatë Pashkëve 2018 Letizia u grind me Sofien dhe e pengoi atë që të bënte një foto me mbesat e saj, trashëgimtaren e fronit Leonor, 13, dhe Sofia, 12 vjeç, popullariteti i mbretëreshës së re «guapa y antipática» preku minimumin e të gjitha kohërave: 7%.

Megjithatë, dalëngadalë, Letizia e rimori mbështetjen falë vajzave të saj. Të paktën në një pikë,  një pjesë e mirë e opinionit publik spanjoll, janë të gjithë dakord: Ortiz është një nënë e shkëlqyer. Leonor dhe Sofia nuk mund të edukoheshin më mirë: të matura por spontane, të buzëqeshura dhe të çlirëta gjatë ceremonive të gjata zyrtare, vajzat studiojnë gjashtë gjuhë, e njohin mirë protokollin dhe e respektojnë pa treguar kurrë mërzi apo bezdi.

Pas dorëheqjes së Juan Carlos I (të vitin 2014), Letizia doli nga prapa kuintave, zuri qendrën e skenës dhe filloi perfeksionimin e vajzës së saj, Mbretëreshës së ardhshme Leonor. Pa harruar që tani sovrani është ajo: këtë e demonstron puna e palodhshme, në Spanjë dhe jashtë saj, siç tregohet në dokumentarin “Profesioni: Mbretëreshë”. "Letizia është shumë e angazhuar për çështjet që janë të rëndësishme për të, siç është lufta kundër trafikimit të grave dhe prostitucioni", tha gazetarja gjermane Julia Melchior. Duke shtuar: "Po të isha spanjolle, do të isha krenare ta kisha mbretëreshë".