• Shqip
  • English
  • E martë, 19 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Biseda TIP Lifestyle Të gjitha TIP top

    11 pyetje nga TIP/ Duaje, pëlqeje Dalinën


    Esencë editori/ Unë jam thjesht një grua që në shumicën e rasteve nuk e di çfarë dite jave është, që përton të lyhet e të vishet, pothuajse nuk del fare nga shtëpia apo zyra dhe flet mesatarisht 20 minuta në ditë dhe madje në ato minuta, mezi artikulohem.

    Mira Kazhani: Po bëhesh kineaste? U lodhe, u mërzite apo nervozove me botën online, kam parasysh portalin?

    Dalina Buzi: Po i hyj asaj që kam dashur gjithmonë që fëmijë, edhe pse “kineaste” është fjalë e madhe për mua, për momentin. Por gjithsesi, do të doja që në të ardhmen ky të ishte përcaktimi im final. Nuk mund të them që më ka lodhur portali, por unë nga natyra, më shumë se kryeredaktore e mirë, mendoj që jam krijuese më e mirë. Portalet nuk të japin sfida krijimtarie dhe asgjë, të paktën në fushën e të shkruarit, besoj nuk të jep kënaqësi më të madhe sesa libri apo filmi. Mendoj se shkëputja nga portali është një udhëtim shumë natyral dhe në rastin tim ka qënë  shumë i domosdoshëm drejt destinacionit final, “trillimit”. Por, si në çdo biznes, është normale që pas një farë kohe të mësosh të delegosh, në rast se dëshiron të zhvillohesh më tej.

    Mira Kazhani: Ti u bëre fenomen në Facebook, pastaj bëre Anabelin portal, dhe tani po e bën serial. Si vepron, me instikt apo sheh diku, dikë, ke një model?

    Dalina Buzi: Të jem e sinqertë, të gjithë gjërat që kanë pasur sukses, të paktën në rastin tim, kanë ardhur nga brenda. Pra, fillimisht më ka folur instikti, por instikti me kalimin e viteve përzihet me eksperiencë dhe pas më shumë se 15 vitesh punë në televizion apo shtypin e shkruar, besoj kam përftuar nuhatjen e duhur për të kuptuar se çfarë duan njerëzit në kohën dhe momentin e caktuar. Pra, instikti është i pari, pastaj patjetër që bazohesh në modele. Mendoj se sekreti ndoshta më i madh i suksesit në disa sipërmarrje të miat është se modelet nuk i marr kurrë tekstualisht. Mësoj prej modeleve më të mira botërore, sepse ato janë referenca për të gjithë, pastaj patjetër që e përshtat në stilin tim dhe në fund të ditës e kam të rëndësishme që të tingëlloj autentike dhe e kuptueshme për ndjekësin/konsumatorin shqiptar. Edhe kur shkruaja skenarin e #Love#Likes#Tirana p.sh. fillimisht instikti më tha se duhet të shkruaja një serial, se mund të bëja më shumë sesa skeçet që kanë qenë në sezonin e parë të Hostel by Anabel. Pastaj kërkova për shumë modele në internet, pashë pa fund seriale e i thoja vetes “Do ta bëj si ky, do ta bëj si ai”, por pastaj iu futa të shkruarit dhe e bëra siç desha vetë.

    Mira Kazhani: Pse nuk poston vetë nga jeta jote në Instagram? Ti e përdor rrjetin, nuk përdoresh?

    Dalina Buzi: Sepse jeta ime është shumë e mërzitshme për Instagram. Dikur, kur Anabel_Hostel mbante emrin tim, më kujtohet që kur dilja në televizor tek “E diela Shqiptare” numri i ndjekësve u rrit ndjeshëm, me shpejtësi të madhe. Duke qenë se çdo të dielë isha e lyer dhe e veshur për dalje televizive, bëja foto, e mesa duket ekspozimi im në TV dhe fotot bënë efektin e tyre. Por unë e ndjeja se nuk kisha lidhje fare me këtë gjë. Nuk e kam pasur as si synim dhe as ka qenë e shkruar nga Universi që unë të tërheq njerëzit pas vetes me trup a bukuri. Unë pikën e fortë e kam tek komunikimi me njerëzit dhe tek kontenti që unë krijoj. Kështu që hoqa dorë prej fotove të mia të bukura dhe iu përkushtova kontentit që do t’iu shërbente njerëzve. E vura Instagramin në shërbim të tyre. Ashtu siç kam vënë pjesën më të madhe të jetës sime në shërbim të komunikimit (viziv apo në të shkruar) dhe po ta heqim këtë copë shumë të madhe të rëndësishme timen, unë jam thjesht një grua që në shumicën e rasteve nuk e di çfarë dite jave është, përton të lyhet e të vishet, pothuajse nuk del fare nga shtëpia apo zyra dhe flet mesatarisht 20 minuta në ditë dhe madje në ato minuta, mezi artikulohem. (qesh)

    Mira Kazhani: Çfarë të entuziazmon?

    Dalina Buzi: Kohët e fundit më entuziazmojnë njerëzit pasionantë, që u ndriçon fytyra nga idetë dhe që nuk marrin “Jo” për përgjigje. Më shkruajnë 14-vjeçarë me artikulimin e një 28-vjeçari me dy diploma, që kërkojnë të punojnë në Anabel, apo kanë ide e projekte për filma e emisione dhe kjo më lumturon. Këta njerëz jetojnë ndoshta nën të njëjtën çati shtëpie apo janë fqinj të një numri të madh njerëzish që kanë hequr dorë, që ankohen dhe pengojnë zhvillimin, të bindur se gjërat nuk bëhen. Dhe pavarësisht mijëra vampirëve të energjisë përreth, ky grup që vazhdon ëndërron e gjen forma për të aplikuar pasionet e tyre, më duket i jashtëzakonshëm.

    Mira Kazhani: Çfarë të demoralizon?

    Dalina Buzi: Më deprimojnë shumë të rinjtë që kanë hequr dorë nga jeta pa dalë nga bankat e shkollës. Puna ma do të takoj me qindra të tillë dhe më trishton fakti që janë mbështjellë me pesimizëm, vetëm nga hamendësimet apo nga eksperiencat e këqija të të tjerëve. Dikur i mbaja në zyrë dhe u flisja me orë të tëra, por tani i bie më shkurt. U them: “E ke vetëm ti në dorë, nëse ti mendon që nuk bëhet, nuk ka për t’u bërë kurrë”.

    Mira Kazhani: Çfarë mendon për gratë e gazetarisë? Po për burrat?

    Dalina Buzi: Unë e kam thënë edhe diku tjetër, për mua gazetaria e mirë fillon pas moshës 35-40 vjeç, një moshë që fatkeqësisht nxjerr nga tregu shumë gra të afta, të cilat vendosin t’i përkushtohen familjes. Nuk po them se i përkushtohen me kohë të plotë, por nuk kanë më grintën dhe kohën e madhe në dispozicion si dikur. Megjithatë, mendoj se gratë kanë treguar një disiplinë dhe konsistencë më të madhe se burrat përgjatë viteve. Dhe kjo, jo sepse gratë i kanë qëndruar më larg të guxuarit, por janë përfshirë më pak në afera që do t’i dekonspironin. Absolutisht mendoj se të gjitha gratë si edhe burrat kanë rrjetin e tyre të interesit dhe kanë mbyllur gojën herë pas here në emër të këtyre interesave, por në fund janë munduar që ta mbajnë timonin më shumë nga ana e lexuesit/shikuesit sesa nga ana e interesave, duke u kujdesur për cilësinë e përmbajtjes. Kurse burrat i shoh më të çoroditur dhe shpesh nuk e kuptoj nëse janë vërtetë në opozitë apo kanë prishur pazare. Megjithatë, nuk do të doja të bija në përgjithësime, sepse ka shumë emra që unë i vlerësoj pa masë nga të dyja gjinitë për kontributin e dhënë.

    Mira Kazhani: Po gazetaria në çfarë dite të duket?

    Dalina Buzi: Unë lexoj tej mase shumë çdo lloj portali të huaj, madje kam studiuar edhe ato ruse e ukrainase, që janë shumë larg interesit tonë. Fenomeni i portaleve ka krijuar një gazetari “clickbait” dhe fatkeqësia në Shqipëri është që për shkak të buxheteve të vogla, mungesës së reklamave nga Google, stafet kanë një numër shumë të vogël gazetarësh, që duhet të bëjnë shumë lajme në ditë. Në këtë mënyrë ata nuk arrijnë dot as të mësojnë, as të kthjellohen, as të dalin në terren, as të stërviten me etikën e marrjes së dy burimeve të kundërta, as, fundja, të marrin frymë e të përtypin informacionin e të stërvitin intrigën. Dhe kjo e ka çoroditur si gazetarinë shqiptare, ashtu edhe atë botërore. Gjithsesi, ndryshimi ynë nga mediat perëndimore është se atje, mes DailyMaileve e TheSun, ekziston edhe një Guardian (Neë York Times etj.), mes FoxNeëseve apo EntertainmentChannel existon edhe një CNN, që nuk i largohen parimeve kryesore të gazetarisë, të vërtetës, shërbimit ndaj popullit dhe emancipimit të tij. Në Shqipëri nuk e bëj dot dallimin dhe kjo është fatkeqësi.

    Mira Kazhani: Çfarë mendon për komentuesit e rrjetit? Umberto Eco e quante masën idiote, disa i mban masa në majë, ti ku bën pjesë?

    Dalina Buzi: Umberto Eco e vuri emrin e tij me një thriller (murder mystery) siç ishte Emri i Trendafilit. Ai i shiti miliona kopje në të gjithë botën. Pavarësisht stilit të shkrimit dhe informacioneve të ngarkuara fetare e historike, në thelb ishte suspansa ajo që tërhoqi njerëzit, ndaj Umberto, nga eksperienca e tij personale, besoj duhet të kishte konsideratë më të lartë për masën, sepse ai gjeti kleçkën që masa e donte. Natyrisht në kohën e Ecos masa nuk fliste, por lexonte dhe kritikët shkruanin. Në kohën tonë, masa flet paralel me kritikët, madje tashmë të gjitha faqet e filmave kanë dy seksione: Çfarë mendojnë njerëzit dhe çfarë mendon kritika.

    Unë jam e fundit që të mendoj se masa është idiote, përderisa suksesin tim nuk ia detyroj askujt përveç masës dhe punës sime. Të gjithë të tjerët që më kanë dhënë dorë, i falenderoj, por Anabelin e përpiu masa dhe masa ia kaloi revistën dorazi njëri-tjetrit dhe masa nisi të shkruante letra anonime në FB dhe e bëri të famshme faqen tonë dhe masa e ndjek Hostel by Anabel në Youtube dhe blen tek ViaAnabel.al. Natyrisht, masa ka disa shtresa; mes tyre ka të pashkolluar, ka fëmijë, ka adoleshentë që shajnë kot për argëtim, ka imigrantë që shfryhen për së largu, por këto i kemi pasur edhe në fis e në lagje. Thjesht tani janë shumëzuar për 1000 dhe janë më të dukshëm. E rëndëishme është që të marrësh “vibe-n” e përgjithshëm të masës ndaj punës sënde. Unë mendoj se masa në përgjithësi ka të drejtë, edhe pse shpesh nuk di të shprehet e artikuluar si një kritik. Por, nga ana tjetër, të paktën në Shqipëri, masa është më e ndershme se kritikët. E rëndëisshme është që ta marrësh në konsideratë masën, por jo aq sa të diktojë punën tënde. Në Shqipëri më e rrezikshme se masa, mendoj se është mass-media. Aty ne duhet të ruhemi nga idiotët që diktojnë shijet e masës ose anashkalojnë atë pjesë të shoqërisë (aspak të vogël) me mentalitet perëndimor.

    Mira Kazhani: Çfarë raporti ke me kohën? Për çfarë do doje të kishe më shume kohë?

    Dalina Buzi: Unë, siç e shkruajta pak më sipër, në pjesën më të madhe të kohës (përjashto të dielën në darkë dhe të hënën në mëngjes) nuk e di çfarë dite është. Kam një problem, që mendoj se kam siptoma të ADHD, pra Attentive Deficit Hyperactivity Disorder (kam shpërqëndrim dhe hiperaktivitet), sepse mund të funksionoj shumë mirë edhe me 5 orë gjumë dhe të punoj 16 orë. Urrej rutinën dhe kufizimet në orare dhe fatmirësisht, duke qenë e vetëpunësuar, e zgjas mëngjesin sa të dua vetë në shtëpi.

    Mira Kazhani: Si gaforre që je dhe meqë ka gaforre në qarkullim që janë udhëheqës, si Merkel apo kryeministri Rama, po të të qëllonte të ishte edhe ti kryeministre, qoftë edhe për tre ditë, cila do ishte gjëja e parë që do bëje?

    Dalina Buzi: Tani besoj se ditë përpara se të zyrtarizohem si kryeministre, do të kem mbaruar punën me kabinetin, përzgjedhjen e këshilltarëve të mi, takimet me amerikanët e europianët dhe takimet me ekspertë të financave, që të më sqarojnë ku të mos marr kot me ëndrrat e mia. Kështu që ditën e parë do të bëja atë që do të di të bëj më mirë deri në atë pikë: Fjalimin mallëngjyes për masat. Pastaj do të futesha tek banjo e zyrës (pasi ta kisha kontrolluar imtësisht për përgjues) e do të qaja si herën e parë kur mësova që isha shtatzënë dhe nuk e dija a duhet të lumturohesha apo të trishtohesha që do të më ndryshonte jeta. Pastaj do të merrja në telefon mamin, vajzat e tim shoq e do t’u thoja: “Më falni për ato që do të dëgjoni këto katër vjet kundër jush!”. Këto janë tre gjërat e para. Të tjerat pastaj janë siç thotë amerikani “regular business.”

    Mira Kazhani: A është Shqipëria e pamjaftueshme për talente të fortë? Jemi një vend i vogël dhe punojmë për një audiencë për 3 milion, ja i bëjmë 6, me ata që janë të shpërndarë.

    Dalina Buzi: Shqipëria është një laborator fantastik eksperimental, sepse këtu bën e para gjëra që në botë i kanë bërë më parë mijëra si ty apo më të mirë se ty. Kështu që është një kënaqësi shumë e madhe kur je “i pari i fshatit”, por lum ata që e shijojnë këtë, sepse unë personalisht do të doja sfida më të mëdha. Shqipëria është një treg i vogël, sidomos për biznese krijuese dhe sidomos kur je inovatore, sepse duhet të harxhosh më shumë për të bindur njerëzit që diçka ecën, pasi e kanë të pamundur ta kuptojnë/shohin që në letër dhe jo për faj të tyre, por për faj të varfërisë në eksperienca të mëparshme. Nëse p.sh. Anabel dhe ndikimi i saj do të monetizohej në një Shqipëri me 50 milionë banorë dhe me sistem më efikas biznesi, unë do të isha milionere sot. Por, me dhimbje po e pranoj kështu siç është (qesh). Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm për të rritur talente që mund t’i sillnin botës autencitet, por jo për t’i mbajtur ata.

    Mira Kazhani: Cili është rregulli yt i artë në punë

    Dalina Buzi: I vetmi rregull që kam është të dua shumë atë që bëj.

    *Dalina Buzi është gazetare, skenariste dhe themeluese e Anabel.al, autore e Hostel by Anabel dhe Love Likes Tirana, një prej serialeve më të ndjekur në You Tube në Shqipëri

    Mira Kazhani për rubrikën “11 pyetje nga TIP”/Tiranapost.al