• Shqip
  • English
  • E hënë, 23 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Biseda TIP Të gjitha

    11 pyetje nga TIP/Blendi Fevziu: Kur dua “t’i” iki Tiranës


    Ajo lloj jete që pata unë, më mundësoi të njihja një pjesë të Shqipërisë dhe historisë së saj që pak njerëz e dinin; të njihja politikën dhe gjithë kurthet e saj. Vite më vonë, kur analizoja ato rrëfime, nisa të kuptoj edhe se si në botë dhe në shoqëri lëvizin fatet njerëzore. Libri është një histori e pabesueshme e këtyre fateve

    1. Një nga lajmet që më doli përpara sot në mëngjes ishte fotografia që i kishit bërë një lypësi në Londër… Ishte e pazakontë dhe frymëzuese, sepse po lexonte një libër. A ishte e para herë që shihje një të tillë? Arritët të shihnit se çfarë po lexonte dhe a i dhatë diçka në fund?

    Blendi Fevziu: Po, ishte hera e parë që shihja një skenë të tillë. Në një nga rrugët më të zhurmshme dhe të frekuentuara të Londrës e mbase të të gjithë botës, një person homeless lexonte në kulmin e qetësisë dhe përqendrimit. Nuk e pashë çfarë po lexonte dhe as iu afrova, por e fotografova duke menduar me vete se cili mund të ketë qenë fati i tij dhe nga vinte ai personazh që ma tërhoqi aq shumë vëmendjen. Më pas pashë që fotoja ishte postuar edhe nga disa adresa ndërkombëtare në Instagram.

    2. A janë shkrimtarët më të thjeshtë se politikanët në emisione apo kanë edhe ata manitë e tyre? (dukeni sikur i trajtoni më me dashuri, por mund të jetë edhe përshtypja ime personale)…
    Blendi Fevziu: Gjithësecili ka manierat e veta. Pastaj edhe shkrimtarët ndahen si politikanët. Shkrimtarë me peshë dhe shkrimtarë modestë e për të mos thënë mediokër. Mediokrit janë gjithnjë njësoj, pavarësisht fushës ku militojnë. Por, padyshim, disa shkrimtarë janë tejet interesantë. Po ashtu si disa politikanë. Për shembull, intervistat e Ismail Kadaresë janë ndër më interesantet e më të bukurat e 22 viteve të shkuara të emisionit “Opinion”.

    3. Cili është ai shkrimtar që ju ka ndikuar më shumë në faza të ndryshme të jetës dhe a ka një shkrimtar që kur e keni lexuar të keni ëndërruar të jeni si ai? Tani që në treg ka disa libra me emrin tuaj, krahasimi me cilin emër mund t’jua ketë bërë më shumë qejfin?
    Blendi Fevziu:
    Ka pasur disa që kanë ndikuar në jetën time dhe sidomos në formimin e stilit të të shkruarit. I pari dhe padyshim më i rëndësishmi ka qenë Ismail Kadare. Veprat e tij kanë ndikuar thellë në formimin e brezit tim, por edhe shumë brezave të tjerë. Ndër vite ka pasur shkrimtarë që më kanë ndikuar: Ivan Turgenjev, Hemingueji, Graham Grim dhe sidomos Dino Buzati. Në letërsinë shqiptare më ka magjepsur po ashtu proza e Mitrush Kutelit, disa nga tregimet e hershme të Dritëro Agollit apo të Nasi Lerës. Unë s’e kam quajtur veten kurrë shkrimtar dhe kështu s’e kam menduar krahasimin me një shkrimtar.

    4. “Tirona e Nonës”, libri juaj i ri që del së shpejti nga botimet UET, ende pa u botuar ka marrë përshtypje të para lexuesish, që e kanë shfletuar në dorëshkrim. Ju thoni që nuk është roman, kurse Henri Çili, në një provokim ndoshta, thotë që është romani juaj i parë. Çfarë është për ju ky libër?
    Blendi Fevziu:
    Thashë që është libri im më i rëndësishëm ndër 13 që kam botuar deri tani. Eshtë një libër që e kam menduar ndoshta 30 vjet dhe që e dija që do ta shkruaja një ditë. Eshtë si ato borxhet që njeriu nuk mund t’i marrë me vete në botën tjetër, ndaj ia kthen kësaj bote. Nuk dua të jap më shumë detaje, por të siguroj që është një histori fantastike. Një miku im, shkrimtar i njohur, më tha që ka momente që u ngjajnë “1001 netëve”. Eshtë një Shqipëri tjetër, që shumë pak vetë e kanë njohur dhe që unë vetë, ndërsa e shkruaja, mahnitesha.

    5. Përmendët mbrëmë në takimin e UET që dy kapitujt e parë i shkruat në iPad, sapo avioni u ngrit në fluturim… Në njëfarë mënyre “Tirona e Nonës” i bie që ka qenë aty dhe mezi po priste të dilte. Si ishte Tirona e nonës që mbani mend?
    Blendi Fevziu:
    Po, nisa ta shkruaja në fund të nëntorit të kaluar. Sapo avioni u ngrit nga aeroporti i San Franciskos, rrugës për në Honolulu. Për 5 orë shkruajta papushim. Dhe mbarova dy kapituj. Njerëzit rreth meje flinin. Vijova të shkruaj për afro 2 muaj kudo. Në Tiranë apo në udhëtim. Kur e mbarova m’u duk sikur kisha kryer edhe borxhin e fundit që kisha nga fëmijëria.

    6. Në një kohë aq të zymtë, ku dukej sikur nuk ndodhte asgjë, kur jeta me ndonjë plus- minus ishte pak a shumë njëlloj për të gjithë, ju kishit një familje dhe një jetë krejt ndryshe. Si ishte ajo? A e quani veten me fat që i përkisni një familjeje të tillë dhe do të ishte Blendi Fevziu ai që është sot nëse do të rritej me dy prindër me një punë normale, në një apartament normal të Tiranës apo të ndonjë qyteti tjetër të asaj kohe? Në njëfarë mënyre ajo nga vijmë a përcakton atë se ku shkojmë?
    Blendi Fevziu:
    Nuk besoj se kjo përbën ndonjë ndryshim. Besoj do ishte njësoj. Ajo lloj jete që pata unë, më mundësoi të njihja një pjesë të Shqipërisë dhe historisë së saj që pak njerëz e dinin; të njihja politikën dhe gjithë kurthet e saj. Vite më vonë, kur analizoja ato rrëfime, nisa të kuptoj edhe se si në botë dhe në shoqëri lëvizin fatet njerëzore. Libri është një histori e pabesueshme e këtyre fateve.

    7. Mosha juaj 50 vjeç a është mosha e duhur për të shkruar kujtimet apo është ende shumë herët?
    Blendi Fevziu:
    Nuk janë kujtime. As roman. Eshtë një prozë, në të cilën ti risjell fëmijërinë nën syrin kritik dhe analitik të ekspericës së 50 viteve.

    8. Letërsia është krejt e kundërta e emisionit “Opinon”. Ai, siç e thoni dhe ju, lind në mëngjes me temën e ditës dhe vdes në darkë, kurse letërsia është krjet e kundërta, synon të jetë e pakohë, e përhershme. Do vijoni gjatë mes këtij dualizmi mes të përkohshmes, të përditshmes e të të përjetshmes? A do t’ju shohim edhe 70 vjeç me emisionet e përditshme si Bruno Vespën apo do vijë një kohë që do t’u kushtoheni vetëm librave?
    Blendi Fevziu:
    Këtë nuk e di. Unë e dua shumë profesionin e gazetarit. E bëj me shumë kënaqësi punën. Që kur zgjohem në mëngjes. Po me kaq pasion shkruaj. Jam më pak prezent me shkrime në përditshmëri sepse iu kam lënë më shumë vend librave. Në fund, ato që mbeten janë ato. Ata që vijnë pas, do më gjykojnë mbi bazën e tyre.

    9. Si është politika sot?
    Blendi Fevziu: Rrëmujë, si shumë gjëra në Shqipëri. Dhe segmente segmente e neveritshme.

    10. Jeta e cilit nga politikanët e sotëm në syrin tuaj mund të përsëriste në të ardhmen suksesin e librit tuaj “Enver Hoxha”?
    Blendi Fevziu:
    Këtë nuk e di. Librat varen shumë nga rrethanat.

    11. Udhëtoni që të shihni botën apo keni dëshirën që edhe t’i ikni Tiranës sa më shumë?
    Blendi Fevziu:
    Nga pak të dyja, por më shumë kuriozitet për të parë njerëz, kultura dhe vende të ndryshme. Madje edhe aty ku turistë nuk shkojnë kurrë. Kur dua “t’i iki” Tiranës, mund të mbyllem në shtëpi duke lexuar apo shkruar. Eshtë ikja më kualitative./Tiranapost.al

    Iva Tiço për Tiranapost.al

    Blendi Fevziu, gazetar, prej 22 vitesh drejtues i “Opinion” dhe autor i 13 librave

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690