Aktualitet

10 ngjarjet e ditës sipas TIP

Lajmi i ditës sot, është një parashikim për nesër
10 ngjarjet e ditës sipas TIP

Nesër, dita më e nxehtë e verës. Meteorologët kanë njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të shënohen temperaturat më të larta të kësaj verë, ku në disa zona të caktuara do të kapin vlerën e mbi 39 gradëve. Ndaj mjekët këshillë parësore kanë: Shmangni daljen në diell. “Mos dilni nga shtëpia sidomos gjatë orëve të pikut, nga ora 10 deri pas orës 16:00. I këshilloj krahas të sëmurëve kronikë, të moshuarve dhe fëmijëve, të pijnë sa më shumë lëngje. Uji është ndoshta ilaçi më i mirë për të nxehtin dhe mos ekspozimi. Edhe nëse për një arsye emergjente detyrohen të dalin edhe pse është shumë vapë të vënë kapele dhe të visheni me krahë të gjata”, këshillon mjeku Pëllumb Piperaj.

Haradinaj nesër në Vlorë: “Kufijtë e Kosovës lëvizin vetëm me luftë”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka një qëndrim krejt ndryshe nga Presidenti Hashim Thaçi përsa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve. Ai ka folur sot për mediat menjëherë pas mbledhjes së qeverisë dhe ka theksuar se “kufijtë e Kosovës i ndryshon veç lufta”. Ndërkaq mediat e Kosovës kanë njoftuar se gjatë ditës së nesërme kryeministri i Kosovës do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Vlorë, por në axhendë nuk është parashikuar takim me Kryeministrin. Edi Rama është duke pushuar në Jug të vendit, ndaj dhe një takim informale mes tyre, nuk përjashtohet.

Thaçi vazhdon t’i qëndrojë idesë së tij. Pasi hapi një debat të gjerë me propozimin e tij për korrigjim kufijsh, Presidenti i Kosovës ka deklaruar sot se në shtator ai do ta prezantojë publikisht idenë e tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Këtë deklaratë Thaçi e bëri gjatë një interviste për RTV Dukagjini, ku nënkuptoi se do të organizojë një referendum në Kosovë për të marrë mendimin e qytetarëve. “Besoj nga Shtatori do të ketë diskutim të hapur për këtë çështje, por gjithçka do të jetë transparente, unë do të flasë me qytetarët e Kosovës si dhe do të shqyrtoj seriozisht që për këtë çështje qytetarët të deklarohen me pyetjen në rast janë në favor të bashkimit të Luginës me Kosovën”, u shpreh presidenti.

Vettingu merr pushimet, por kthehet shumë shpejt. Nuk do ketë më seanca dëgjimore nga KPK për këtë sezon. Vettingu do të rikthehet më 3 shtator. Deri tani janë konfirmuar 27 gjyqtarë dhe prokurorë në detyrë, të cilët kanë dalë të pastër nga Vettingu, nga procesi i verifikimit, bazuar në dokumentacione dhe deklarime të pasurive. KKP deri tani ka shkarkuar 21 gjyqtarë e prokurorë.

Universitetet shtetërore mbeten më të preferuarit. Në përfundim të procesit të plotësimit të preferencave për në universitet, rezulton se për vitin akademik 2018-2019 kanë aplikuar gjithsej 24 mijë e 287 kandidatë, nga të cilët 88.88% e totalit të tyre kanë bërë përzgjedhjen e degëve preferenciale në universitetet publike, ndërkohë që në universitete private kanë bërë përzgjedhjen e tyre 11.12% e maturantëve. Procesi i aplikimeve u zhvillua nga data 30 korrik deri në 4 gusht.

Ministri italian shijon pushimet me të dashurën. Pushime me puthje në plazh. Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, di si të kalojë pushime të bukura. Chi publikon fotot me prezantuesen, duke u puthur në diell. Një takim dhe një darkë romantike me peshk krudo, zëvendëskryeministri dhe partnerja e tij, Elisa Isoardi, janë argëtuar në plazh, në bordin e një motoskafi. Në diell ose nën çadër por gjithmonë të përqafuar, kanë treguar se janë më të dashuruar se kurrë. Të dy, siç ka zbuluar “Chi” pak javë më parë, kanë nisur bashkëjetesën zyrtarisht, pasi kanë marrë një shtëpi së bashku në qendër të Romës.

Veliaj vazhdon fushatën për dhurimin e gjakut. Nisma për dhurimin e gjakut do të vijojë deri në fund të verës, ndërsa në shtator pritet që ti bashkohen edhe bizneset e qytetit. Sot ishin punonjësit e Drejtorisë nr 3 të cilët dhuruan gjak, si pjesë e nismës së punonjësve të Bashkisë së Tiranës. Ata dhuruan gjak për të sëmurët me talasemi dhe personat në nevojë. I pranishëm në qendrat e ngritura nga Bashkia, Veliaj bëri thirrje që të gjithë të bashkohen dhe të dhurojnë gjak për dikë tjetër.

Brenda shtëpisë së Inva Mulës. Vëllai i madh Anthony sapo ia tërhoqi një vërejtje motrës së vogël Nina. Ndërkohë që në televizor transmetohej një intervistë e Inva Mulës, nënës së tyre dhe Anthony e dëgjonte me vëmendje, Nina nuk e shkëputi kokën nga tableti. “Kur iPad-i është më i rëndësishëm se intervista e nënës”, shkruan me humor në Instastory. Dhe vëmendja e Ninës nuk është shkëputur as nga videoja e të vëllait.

10 libra më të bukur për t’u lexuar nën çadër, sipas Iva Tiços. “Të këshillosh një libër plazhi, nuk është gjëja më e thjeshtë në botë. Ndodh pak a shumë, si kur u prezanton të dashurin shoqeve: “Po sikur mos ta pëlqejnë?!”. Dhe me librat kjo ndodh më shpesh sesa me të dashurit. Një nga shoqet e mia, para disa vjetësh, mori me vete në pushime “Njëqind vjet vetmi” sepse kishte dëgjuar shumë njerëz që e pëlqenin, e pastaj u bë derr se nuk e shtyu dot përtej faqes së pesëdhjetë… Eshtë natyra e lexuesit, që kërkon një libër ku koha dhe ngjarjet rrjedhin në një rend kronologjik ,sipas një subjekti që nis në një pikë për t’u mbyllur në pikën e fundit”, shkruan Iva.

Zeni me pushime me fëmijët, por Armina ka shoqet dhe po bëjnë qejf. Këto pushime po i bëjnë të ndarë, ashtu si edhe për Krishtlindje. Ndërkohë që Zeni postoi foto me fëmijët nga plazhi, Armina nuk po rri në shtëpi. Edhe ajo po bën pushimet e saj me shoqet e zemrës. Dhe ku ka si pushimet me goca? Armina e ka mbushur Instastoryn plot. Që nga performancat në makinë me këngën e tyre të preferuar të çdo vere, tek pamja fantastike e restorantit ku kanë darkuar.