Art dhe Kulturë

10 librat më të mirë të 2018-ës!

10 librat më të mirë të 2018-ës!

Vepra e fundit e shkrimtarit Ismail Kadare, “Kur sunduesit grinden”, e cila erdhi për lexuesin në Panairin e Librit, është renditur ndër librat më të mirë të vitit 2018.

Instituti Europian Pashko ka bërë publike listën e 10 librave më të mirë të vitit sipas një anketë ku morën pjesë rreth 100 personalitete nga fusha e kulturës dhe e medias

Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET-PRESS, e quajti këtë anketë të rëndësishme, përmes së cilës shohim një tablo të zhvillimeve letrare gjatë një viti, por dhe rikthen vëmendjen ndaj autorëve dhe letërsisë shqipe.

“Qëllimi i kësaj ankete është të mbështesë botimet e reja shqipe në të gjitha gjinitë, pasi anketa nuk u fokusua vetëm tek letërsia, por dhe publicistika apo historia. Janë 130 botime të nominuara si librat më të mirë të vitit, të cilat tregojnë që  ka një lëvizje në rritje të mendimit dhe krijimtarisë  së  autorëve shqiptarë. Librat e përzgjedhur treguan dhe një vëmendje në rritje të kritikës apo botës së medias ndaj leximit ndaj botimeve të reja”, tha Bardhyli.

Në vendin e dytë renditet shkrimtarja Diana Çuli me romanin e saj të ri “Vrasje në kryeministri”. Çuli rikthehet pas botimit të romanit “Hoteli i drunjtë” në vitin 2011 në zhanrin e letërsisë ‘thriller’, shumë pak e njohur në vend.

Në vendin e tretë renditet shkrimtari Enkel Demi, i njohur me pseudonimin Tom Kuka, me romanin “Gurët e vetmisë”.

Në vendin e katër renditet Kim Mehmeti me romanin “Pusi”, ndërsa në vendin e pestë libri më i ri i Mitrush Kutelit “Hekuri dhe çeliku”.

“Vila me tri porta” e Vera Bekteshit renditet në  vendin e gjashtë. Shkrimtari Gazmend Kapllani renditet i shtati më  “I keqi i vetes”.

Në vendin e tetë është Mimoza Ahmeti me romanin “Tutori”. Flutura Açka vjen në vendin e nëntë me përmbledhjen poetike “Roja i dritës”.

Ndërsa në vendin e dhjetë është fituesi i çmimit Kadare, Virgjil Muçi me romanin “Piramida e shpirtrave”.

Për Bardhylin, kjo anketë synon të kthehet në një traditë çdo fund viti, për t’i dhënë më shumë zë letërsisë në vend.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është fakti që kjo anketë, por dhe shumë debate letrare të iniciuara gjatë këtij viti, e kanë  bërë letërsinë të jetë një faktor në vend”, tha ajo.

LIBRAT FITUES

Kur sunduesit grinden, Ismail Kadare

Vrasje në kryeministri, Diana Çuli

Gurët e vetmisë, Tom Kuka

Pusi, Kim Mehmeti

Hekuri dhe çeliku, Mitrush Kuteli

Vila me tri porta, Vera Bekteshi

I keqi i vetes, Gazmend Kapllani

Tutori, Mimoza Ahmeti

Roja i dritës (poezi), Flutura Açka

Piramida e shpirtrave, Virgjil Muçi