Aktualitet Te gjitha

10 lajmet e ditës sipas TIP


Mirëmbrëma lexues të Tiranapost.al. Sot kemi përzgjedhur këto lajme si më të rëndësishmet:

Siguria e ushqimeve varet vetëm nga ndërgjegjja e prodhuesve. Sot emisioni “Fiks Fare” ka faktuar përdorimin e nitratit dhe hormoneve në prodhimet bujqësore, të cilat janë 10 herë më të larta se norma e lejuar. Ndërkohë asnjë laborator i certifikuar në Shqipëri nuk është në gjendje që të kryejë analiza të tilla.

Kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj ka njoftuar Kuvendin përmes një letre se i përfundon mandati në muajin dhjetor dhe se ai nuk kërkon një mandat të dytë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe thotë se për zgjedhjen e kreut të ri të KLSH-së do të respektohen kriteret që ka vendosur ligji por edhe kalimi i tij në një proces vettingu.

Një foshnje e ardhur në jetë vetëm katër ditë më parë ka ndërruar jetë sot në spitalin e Durrësit, por familjarët kanë akuzuar mjekët për pakujdesi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i mjekëve të spitalit të cilët thanë se foshnja vuante nga një sëmundje e trashëguar gjenetikisht, që konsistonte në thyerje të kockave sapo prekej nga mjeku.

Forcat speciale të FNSH dhe RENEA-s ndërmorën gjatë mëngjesit të sotëm një aksion në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, ku janë ndaluar 11 persona, prej të cilëve 5 janë arrestuar dhe po qëndrojnë në qeli. Të arrestuarve u janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash dhe armë zjarri. Një prej të arrestuarve është Valter Bami, vëllai i Durim Bamit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Maqedoni për një vizitë zyrtare në një moment të rëndësishëm për ecurinë euro-atlantike të fqinjit tonë. Ai i bëri thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht për “Po” në referendumin që do të mbahet më 30 shtator për çështjen e emrit.

Në fjalimin e vitit, Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker tha se Bashkimi Europian është një projekt shumë më i madh se institucionet dhe drejtuesit aktual të përkohshëm. Me rëndësi ishte pjesa kur foli për rajonin tonë, duke dhënë një mesazh të qartë: “Ballkanin Perendimor nuk duhet ta lëmë pas dore, nuk duhet ta neglizhojmë këtë rajon pasi të tjerët do të rrisin ndikimin e tyre”, tha ai.

Dyshimet për falsifikim të diplomës së masterit kanë mjaftuar që Ministrja e Shëndetësisë në Spanjë të japë dorëheqjen. Mediat kanë publikuar disa raporte ku thuhet se ka bërë manipulime me notat dhe përmes miqësive apo kundrejt pagesës i ka ndryshuar ato.

Katalonja shpërthen sërish në protesta. Një vit pas referendumit të paligjshëm, duket se katalanasit kërkojnë sërish pavarësi përmes kryengritjeve. Organizatorët thuhet se janë presidenti Quim Torra dhe paraardhësi Carles Puigdemont. Ata vazhdojnë me idenë e  shpalljes së pavarësisë. “Kemi nisur një marshim të pafundëm”, u dëgjua teksa thoshte presidenti Torra.

Parlamenti Europian ka votuar pro veprimeve disiplinore ndaj Hungarisë, pas akuzave për shkelje të vlerave thelbësore të Bashkimit Europian. Është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Qeveria e kryeministrit Viktor Orban është vënë sot në qendër të akuzave, për sulme ndaj mediave, pakicave dhe sundimit të ligjit, akuza të cilat vetë Orban i mohon.

Humbja nuk është tragjedi dhe trajnerit Panucci i duhet dhënë koha e nevojshme. Kështu është shprehur presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Ai ka thënë gjithashtu se humbjet shërbejnë si piketa për përmirësimin e punës nga ana e trajnerit. Aktualisht Shqipëria ka tre pikë në grupin e Ligës së Kombeve, po aq sa edhe Skocia./Tiranapost.al