Aktualitet Te gjitha

10 lajmet e ditës sipas TIP


Mirëmbrëma lexues të Tiranapost.al. Sot kemi përzgjedhur këto lajme si më të rëndësishmet:

Ceremonia mortore e grekut Kacifas në Bularat është shndërruar në një manifestim të minoritetit grek kundër shqiptarëve. Pasi janë përdhosur simbolet kombëtare, policia ka bërë arrestimin e dy shtetasve dhe shoqërimin e 12 të tjerëve. Gjithashtu 44 qytetarëve grekë u është ndaluar hyrja në Shqipëri.

Duke komentuar varrimin e Kacifasit, kryeministri grek Tsipras ka thënë se irritimi i familjarëve është legjitim, por kjo nuk do të ndryshojë strategjinë e Greqisë për t’u afruar me Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do t’ia nisë sërish kërkesën për dekretim të Sandër Lleshit Presidentit Ilir Meta. Rama tha në “Real Story” se refuzimi i Metës ishte i pabazuar në asnjë nen të Kushtetutës.

Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, ndodhet në Tiranë ku ka zhvilluar sot një takim me ministren e Drejtësisë dhe ku ka vlerësuar ecurinë e Reformës në Drejtësi si dhe luftën kundër korrupsionit.

Dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën në Korçë duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Mësohet se aksidenti ka ndodhur në unazën e qytetit.

Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Italia ka hequr nga tregu shitjen e pjatave plastike njëpërdorimshe, për shkak të nivelit të lartë të elementëve toksik të përdorur gjatë prodhimit. Bëhet fjalë për pjatat e firmës “Elios” dhe “Sea Party”, të prodhuar nga ‘T&M Trade & Marketing Srl’ në Bari.

11 viktima janë shënuar në një lokal në Kaliforni. Agresori fillimisht ka vrarë rojen dhe më pas ka hyrë brenda ambienteve duke shtënë me armë.

Zara ka zgjeruar rrjetin e dyqaneve online në 106 vende të tjera. Kjo do të thotë se veshjet e Zaras do të jenë të disponueshme në internet në 202 vende.

Adidas ka njoftuar se ka shitur mbi 1 milionë palë këpucë sportive të bëra nga mbeturinat plastike të oqeaneve. Kështu po përhapet një standard i ri në fushën e prodhimit duke përdorur fije të fituara nga transformimi i mbeturinave plastike në një polimer që përdoret për të prodhuar këpucë pëlhure.

Klubi i futbollit të Kamzës ka shkarkuar nga detyra trajnerin Klodian Duro. Sipas drejtuesve të klubit ky vendim u mor pas rezultateve të dobëta në ndeshjet e fundit./Tiranapost.al