Aktualitet

10 lajmet e ditës në TIP

10 lajmet e ditës në TIP

Një delegacion i Parlamentit Europian ka mbërritur sot në Tiranë në përpjekje për të ulur palët në bisedime pas djegies në bllok të mandateve nga opozita dhe protesta të dhunshme. 7 eurodeputetë të Parlamentit Europian, u takuan fillimisht me krerët e partive opozitare, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.Të dërguarit e Parlamentit Europian që u përkasin të gjitha grupeve më pas u takuan me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për të vijuar me Kryeministrin Rama dhe ministrin e jashtëm në detyrë Gent Cakaj. Ndryshe nga sa jemi mësuar t’i shohim politikanët duke lëvizur me makina të shtrenjta, eurodeputetët na dhanë edhe një leksion, pasi lëvizen me autobus nëpër Tiranë.

Por vizita e eurodeputetëve deri më tani nuk ka zgjidhur asgjë, pasi takimi me Bashën dhe Kryemadhin nuk e tërhoqi opozitën shqiptare nga djegia e mandateve, protestat e dhunshme, dhe synimi për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, përmes krijimit të një qeverie tranzitore. Pas takimit me eurodeputetët, Basha dhe Kryemadhi deklaruar se refuzojnë uljen në tryezë me Ramën për zgjidhjen e krizës politike. Nga ana tjetër, asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë nuk bëri asnjë deklaratë pas takimit me eurodeputetët.

Kryeministri Edi Rama është i vendosur për të mos bërë asnjë hap prapa, pavarësisht protestave dhe kërkesave të opozitës për qeveri tranzitore e zgjedhje të parakohshme. Gjatë takimit të përjavshëm në kuadër të “Bashkëqeverisjes”, Rama foli për çuarjen deri në fund të mandatit të kësaj qeverie, duke premtuar finalizim të projekteve të nisura. Kryeministri tha se qeveria është e vendosur për të përmbushr “Paktin për Univeristetin”. Kryeministri ka deklaruar disa herë se nuk do të ketë as qeveri tranzitore dhe as zgjedhje të parakohshme.

Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn, është shprehur kundër kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme. Në një intervistë për DË, zëdhënësi i partisë së Merkel ka deklaruar nuk mund të imponohen zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga kushtetuta. Sipas tij, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm për çdo parti opozitare. Hahn është shprehur edhe një herë kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve, ndërsa bën thirrje se nëse ka njerëz të arsyeshëm në lista të marrin mandatet e lëna bosh.

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur datën e seancës së ardhshme plenare. Për shkak të protestës së opozitës, seanca plenare e kësaj së enjte u shty, për t’u zhvilluar të martën, më 5 mars. Ndërkohë nuk është caktuar ora se kur do të mbahet kjo seancë. Kujtojmë se opozita ka vendosur që të zhvillojë protestë sa herë që të mblidhet Parlamenti. Sipas PD, protesta do zhvillohet në orën që do caktohet mbajtja e seancës, ndërsa porositë janë të njëjta si në protestat e tjera.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar 57 kandidatëve për deputetë të opozitës të sjellin formularin e dekriminalizimit për të fituar mandatin e deputetit, pas dorëheqjes së deputetëve të PD-LSI. KQZ ka vënë në dijeni kandidatët pasues në listat e opozitës se ju takon mandati pas dorëheqjes në grup të deputetëve. KQZ-ja ju ka kërkuar përmes postës 40 kandidatëve të PD-së dhe 17 kandidatëve të LSI-së të sjellin në komision brenda 10 ditësh formularët e dekriminalizimit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Pas thirrjeve të vazhdueshme të ish-ministrit, prokuroria ka vendosur që më në fund të dërgojë për gjykim dosjen penale ndaj Saimir Tahirit. Saimir Tahiri është hetuar nga Prokuroria për Krime të Rënda lidhur me akuzat për përfshirje në trafikun e drogës me bandën ‘Habilaj’. Ai është thirrur për t’u paraqitur nesër me 28 shkurt ora 13:00 për t’u njohur me akuzat zyrtare të Prokurorisë. Kujtojmë se Gjykata italiane e Katanias e ka shpallur të pafajshëm ish-ministrin

Qeveria vendosi zyrtarisht që të lejojë importin e automjeteve, të cilat përmbushin standardet e direktivës së Bashkimit Europian “Euro 4” deri në fund të këtij viti. Ky vendim i ri anulon VKM-në e cila hyri në fuqi në fillim të muajit Dhjetor, ku nuk lejohej që në vendin tonë të regjistroheshin makina të cilat janë prodhuar 10 vitet e fundit. Tashmë vjetërsia e mjeteve që do të hyjnë në Shqipëri do të datojë në vitin 2005 dhe jo në 2009-n siç ishte vendimi i vjetër. Balluku tha se vendimi i ndalimit për makinat e përdorura është shtyrë deri më 31 dhjetor të vitit 2019.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i ka ulur me 8 muaj dënimin ish-gjyqtarit, Shkëlqim Miri, i cili u arrestua për korrupsion. Nga 2.8 vite burg, Shkëlqim Miri dënohet me vetëm 2 vjet burg. Por ish-gjyqtari pritet të dalë nga qelia, pasi duke llogaritur edhe afatin e paraburgimit, atij i mbeten edhe 15 ditë nga dënimi. Shkëlqim Miri u arrestua në nëntor 2017 pas një hetimi të nisur nga prokuroria nën akuzën e korrupsionit, pasi dyshohet se ka përfituar 30 mijë euro për ndryshimin e masës së sigurisë së një të dënuari. Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestruan në banesë 34 milionë lekë.

Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong un janë takuar për herë të dytë sot në Vietnam. Të dy udhëheqësit shtrënguan duart dhe u paraqitën para flamujve duke qeshur , ndërsa fotografoheshin nga gazetarët. Trump tha se priste një samit “shumë të suksesshëm”. Ndërsa lideri i Koresë së Veriut tha: “Ne kemi qenë në gjendje të kapërcejmë të gjitha pengesat dhe jemi këtu sot”. Në përgjigje, Trump tha “është një nder të jem me Kryetarin Kim, është një nder të jemi së bashku në Vietnam”./Tiranapost/A.C