• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 26 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    10 lajmet e ditës në TIP


    Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth thotë se atmosfera në Shqipëri është helmuar shumë. Roth, në një intervistë për DW, veprimin e opozitës për djegien e mandateve e quan të papërgjegjshëm, ndërsa ripërsërit thirrjen për dialog qeveri-opozitë. I pyetur për negociatat, Roth thotë se kriza politike po prodhon tituj negativë në media. “E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Kam frikë se atmosfera është helmuar aq shumë”.

    Partia Socialiste nuk do të pranojë të marrë mandate nga ato të opozitës, në qarqet ku pritet të shterojnë listat e kandidatëve pa arritur të plotësohen vakancat në Parlament. Në Kukës kanë shteruar kandidatët e PD në listat pasuese për deputetë dhe vakanca në parlament nuk do të mund të plotësohet nga kjo parti. Në qytetin verior mbetet ende pa zëvendësuar mandati i Isuf Çelës. I fundit në listën e kandidatëve demokratë është Miftar Dauti, i cili ka refuzuar të pranojë mandatin, por gjithsesi ai ka kohë deri të premten për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit. Por partia në pushtet nuk do të pranojë të marrë mandate që nuk i janë dhënë drejtpërdrejtë nga zgjedhësit me votë.

    Pak ditë më parë SHISH raportoi se është rritur përpjekja ruse për ndikim në Shqipëri. Sot, komandanti i trupave amerikanë për Europën, gjenerali Curtis Scaparrotti akuzon Moskën se po financon parti politike në Ballkan për të penguar integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian dhe NATO.“Ata bëjnë përpjekje për të minuar çdo përparim drejt integrimeve Euro-Atlantike, BE, NATO, etj. Këtë e bëjnë kryesisht përmes dizinformimit, e bëjnë duke financuar dhe mbështetur parti radikale. Ata jo domosdoshmërisht përcaktojnë se cilin krah mbajnë. Rëndësi ka që të minojnë qeverinë aktuale në çdo hap të hedhur përpara. Shohim që ky aktivitet është shtuar gjatë 6 apo 8 muajve të fundit në Ballkan”. Gjatë një konference me homologun Zaev, Rama tha se kjo dihet dhe nuk është sekret.

    Pas 8 vjetësh, autostrada në kahun Tiranë-Elbasan është e kalueshme plotësisht. Kilometrat që lidhnin Ibën me tunelin e Krrabës kanë përfunduar për pjesën e rrugës që lidh kryeqytetin me Elbasanin. Autostrada është e kalueshme për automjetet vetëm korsia me sensin Tiranë-Elbasan, në kahun tjetër të rrugës vazhdojnë punimet edhe për 2 kilometrat e mbetura. Megjithatë automjetet mund të udhëtojnë në të dy drejtimet përmes rrugës së re, por pa pasur gjerësinë e plotë të saj. Me hapjen e segmentit të fundit koha mesatare për të udhëtuar nga kryeqyteti për në Elbasan është 30 minuta, duke shmangur njëherë e mirë aksin e malor dhe të amortizuar të Qafës së Krrabës.

    Policia ka shkatërruar një rrjet kriminal në Shkodër që jepte para me fajde. 12 persona kanë rënë në pranga, mes tyre ish-Kancelari i Gjykatës së Shkodrës, Artan Dragani, avokatë, noterë e policë. Nëse paratë nuk ktheheshin për një javë, anëtarët e këtij grupi u merrnin qytetarëve pronat, shtëpitë dhe gjithçka që kishin. Sipas policisë, huatë jepeshin me interesa nga 3 deri në 20 përqind. Mes të arrestuesve është edhe Ilir Sokoli, ish-drejtori i patentave emëruar nga LSI. Ai është kapur në Morinë teksa tentonte të kalonte kufirin. Policia ka sekuestruar prona dhe 500 mijë euro cash.

    Elbasani festoi sot Ditën e Verës, ndërsa Tirana u tregua e zgjuar dhe për shkak të reshjeve të shiut vendosi t’i shtynte aktivitetet për të dielën. Kryeministri zgjodhi të festojë sot krah Qazim Sejdinit, ndërsa pati edhe një batutë për veçantinë e festimeve. ’Gëzuar ditën e Verës, këtë vit është e veçantë se Lala e feston në 14, Luli e feston në 16, ndërsa lali e feston në datën 17”.Në Elbasan sot ishte edhe Lulzim Basha, por kreu i PD zgjodhi të shkojë herë në mëngjes, për të mos bërë “xing” me Ramën. Madje pati edhe një ndryshim axhende prej të dyve.

    Nga sot, Godina nr. 5 ka jo vetëm pamje plotësisht të re, por ofron edhe kushte më të mira për studentët. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e donatorëve privatë, iu përgjigj pozitivisht kërkesave të studentëve dhe në zbatim të Paktit për Universitetin, arriti që në kohë rekord të rikonstruktojë ambientet ndihmëse, pajisjet hidrosanitare, tualetet, dushet, sallën e studimit, fasadën e godinës, si dhe ka bërë zëvendësimin e mobiljeve dhe dyshekëve në të gjitha dhomat e banimit të studentëve.

    Kultura e punës dhe marrëdhëniet midis punëmarrësit dhe punëdhënësit ndikojnë drejtpërdrejtë në produktivitetin e punës, por siç duket marrëdhëniet epror-vartës jo gjithmonë shkojnë vaj dhe ky është pikërisht rasti i Shqipërisë. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës të hartuar nga Komisioni Europian, rreth 51% e shqiptarëve të pyetur janë përgjigjur se i vlerësojnë marrëdhëniet epror-vartës si shumë të tensionuara, rreth 34% i vlerësojnë disi të tensionuara dhe vetëm 16% janëshprehur se midis tyre nuk ka tension. Ndërsa të ndarë sipas grup–moshave, të rinjtë janë shprehur në përqindje më të lartë se marrëdhëniet midis eprorit dhe vartësit janë shumë të tensionuara, rreth 55% e moshës 18-24 vjeç.

    19 mijë shqiptarë gjatë vitit 2018 kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat që i rendit shqiptarët në vend të nëntë për nga numri i azilkërkuesve, pas Sirisë, Afganistanit, Irakut, Pakistanit, Iranit, Nigerisë, Turqisë dhe Venezuelës. Në vend të parë është Iraku, me rreth 81 mijë aplikime.Në raport me vitet e kaluara numri i azilantëve shqiptarë ka rënë.

    Deputetët anglezë votuan këtë pasdite kundër tërheqjes së nënit 50, për të mbajtur një referendum të dytë. Sipas votimit, 85 vota ishin në favor të referendumit të dytë dhe 334 kundër, pra me një diferencë prej 249 votash. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk mund të shtrohet sërish në votim, pasi nuk dihet se si do shkojë debati për Brexit. E ndërsa për procesin e tejzgjatur, ka reaguar edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili nga zyra Ovale tha se Brexit po dëmton shumë vende.“Unë nuk jam i sigurt nëse ndonjëri e ka idenë se çfarë po ndodh me Brezit. Është një gjë shumë komplekse. Po dëmton shumë vende dhe është turp. Megjithatë mendoj se duhet të mbajmë të njëjtën korsi”./Copyright/ Tiranapost/A.C