Kryesore Aktualitet Te gjitha

10 ditë për të marrë hipotekën: Dokumentacioni dhe procedura online


Të gjithë ata persona që kanë ndërtuar shtëpi pa leje dhe janë pajisur me lejen e legalizimit mund ta marrin tapinë e godinës brenda 10 ditësh me një kosto prej 5 mijë lekësh.

Në faqen zyrtare të Hipotekës mësohet se ky shërbim mund të merret pa shkuar në dyert e këtij institucioni, por përmes shërbimit që ofrohen në portalin e-Albania. Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për regjistrimin e objekteve të legalizuara.

Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të Ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik.

Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dergimit tek “Dokumentet e mia” në e-Albania dhe informimit me e-mail për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit.

Dokumentacioni i nevojshëm

-Dokument identifikimi i përdoruesit: Kartë Identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania)

-Shkresë përcjellëse nga institucioni qe ka lëshuar aktin

Hapat e procedurës

-Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal

-Zgjidhni shërbimin “Regjistrimi i objekteve të legalizuara”

-Klikoni butonin “Përdor”

-Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme.

-Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit

-Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme

-Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me e-mail aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur tek “Dokumentet e mia” në e-Albania, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit./Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *